Kategori
Dogana & Akciza

Taksa e Ambalazheve dhe Materialeve Plastike (TAM) pas datës 1 Janar 2019 dhe optimizimi i pagesës përmes Regjimeve Doganore

Ndryshimi

Me 3 Dhjetor 2018, Parlamenti miratoi Ligjin Nr. 93/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9975 datë 28.7.2008 Për Taksat Kombëtare”, i cili pritet të hyjë në fuqi në datën 1 Janar 2019.

Ky ligj ndryshon skemën e taksimit dhe zgjeron  kategorinë e mallrave plastike subjekt taksimi nga “ambalazhe plastike” që ishte, në “ambalazhe plastike dhe materiale plastike” (Neni 1, Ligji Nr. 93/2018).

Si rrjedhojë, të gjithë mallrat që klasifikohen në Kapitullin 39 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave (referuar në vijim si “NKM”) bëhen subjekt i taksës së ambalazheve plastike dhe materialeve plastike (referuar në vijim si “TAM”)(Neni 2 Pika 3, Ligji Nr. 93/2018).

Si pasojë e ndryshimit, edhe artikuj si arka plastike, fuçi me kapacitet mbi 20 litra, kutitë paketuese dhe tasat për ushqime etj. bëhen subjekt i TAM, pasi përjashtimi nga pagesa e TAM për to shfuqizohet (Neni 5 Pika 2, Ligji Nr. 93/2018).

Niveli i TAM:

  • për lëndët e para plastike në forma primare, klasifikuar në Krerët Tariforë 3901 deri 3914 të NKM, është caktuar në masën 25 lekë/kg të peshës neto të produktit, dhe
  • për të gjithë ambalazhet dhe materialet e tjera plastike që klasifikohen në Kapitullin 39 të NKM, është caktuar në masën 35 lekë/kg të peshës neto të produktit (Neni 2 Pika 3, Ligji Nr. 93/2018).

Momenti i pagesës së TAM, si për lëndët e para plastike në forma primare ashtu edhe për ambalazhet dhe materialet plastike, do të jetë ai i importit (Neni 2 Pika 3, Ligji Nr. 93/2018) dhe do të arkëtohet nga Administrata Doganore (Neni 3, Ligji Nr. 93/2018).

Impakti

Për bizneset që ndikohen nga ndryshimi, taksa përllogaritet të sjellë një kosto shtesë vjetore prej 10.5 milionë USD[1]:

  • Për lëndët e para plastike në forma primare që klasifikohen në Krerët 3901 deri 3914 të NKM, kostoja shtesë vjetore përllogaritet të jetë 1 milionë USD (niveli i taksimit ishte zero, bëhet 25 lekë/kg). Në këtë kategori bëjnë pjesë granulati i polietilenit, granulati i polipropilenit, granulati PVC, polistren, poliuretan etj. të cilat shërbejnë si lëndë të para për prodhimin e tubave palstikë, ambalazheve plastike, plasmasit, polisterolit, sfungjerit etj. 
  • Për ambalazhet plastike që klasifikohen në Kreun 3923 të NKM ndryshimi në nivelin e taksimit përllogaritet të reduktojë koston vjetore në import me 5 milionë USD (niveli i taksimit ishte 100 lekë/kg, bëhet 35 lekë kg). Në këtë kategori bëjnë pjesë shishet (pipetat) plastike, qeset plastike etj.
  • Për materialet e tjera plastike që klasifikohen në Kapitullin 39 të NKM, kostoja shtesë vjetore përllogaritet të jetë 9 milionë USD (niveli i taksimit ishte zero, bëhet 35 lekë/kg). Në këtë kategori bëjnë pjesë tubat dhe rakorderitë plastike, profilet PVC, shiritët dhe filmat plastikë, fletët e plasmasit, artikujt plastikë shtëpiakë dhe të zyrës (si gota plastike, kova plastike, etj.), aksesorët plastikë për instalime elektrike, etj.

Barra e taksës, si pasojë e ndryshimit të skemës dhe të niveleve të taksimit, për të gjithë artikujt që klasifikohen në Kapitullin 39 të NKM, përjashtuar Kreun 3923, parashikohet të jetë mesatarisht rreth 12% e çmimit të tyre të importit.

Kush ndikohet?

Kategoritë kryesore të bizneseve që ndikohen drejtpërdrejtë nga ndryshimi janë importuesit, prodhuesit vendas dhe eksportuesit e materialeve/artikujve plastikë dhe ambalazheve plastike.

1. Importuesit/tregtarët e lëndëve të para plastike në forma primare si polimerët e etilenit, polimerët e propilenit, polimerët e stirenit, polimerët e vinilkloridit etj., në momentin e zhdoganimit (çlirimit për qarkullim të lirë) do të paguajnë TAM në masën 25 lekë/kg të peshës neto të produktit.

Shembull 1: Një ngarkesë me 20,000 kg granulat polietileni zhdoganohet (çlirohet për qarkullim të lirë). Shuma e TAM që do të paguhet në import do të jetë 500,000 lekë (20,000 kg *25 lekë/kg = 500,000 lekë).

Shuma e TAM prej 500,000 lekë do të përfshihet edhe në bazën e tatueshme për efekt të llogaritjes së TVSH në import dhe detyrimi shtesë i TVSH për këtë ngarkesë do të jetë 1oo,ooo lekë (500,000 lekë * 20% TVSH = 100,000 lekë).

2. Prodhuesit vendas të cilët importojnë lëndë të para plastike në forma primare për t’i shndërruar në produkte të gatshme, në momentin e zhdoganimit (çlirimit për qarkullim të lirë) të lëndëve të para do të paguajnë TAM në masën 25 lekë/kg, e cila llogaritet mbi peshën neto të produktit.

3. Prodhuesit vendas të cilët furnizohen brenda vendit me lëndë të para plastike në forma primare nga importues të tjerë, impaktohen indirekt nga taksa, pasi furnitorët do të reflektojnë efektin e TAM prej 25 lekë/kg në çmimin e shitjes së lëndëve të para.

TAM impakton prodhuesit vendas të cilët furnizohen brenda vendit ose importojnë lëndë të para plastike në forma primare për të prodhuar produkte që nuk klasifikohen në Kapitullin 39 të NKM.

Shembull 2: Një palë këpucë me shollë plastike të cilat importohen, nuk janë subjekt i TAM duke qenë se TAM aplikohet vetëm për materialet/artikujt plastikë të Kapitullit 39 të NKM dhe jo për ato të Kapitullit 64 të NKM ku klasifikohen këpucët (përfshirë ato me shollë plastike).

Një prodhues vendas i këpucëve, i cili importon lëndë të para plastike në forma primare për të prodhuar shollë plastike dhe asembluar këpucë që prodhon brenda vendit, do të jetë subjekt i TAM pasi taksën e paguan në momentin e zhdoganimit (çlirimit për qarkullim të lirë) të granulatit plastik.

4. Importuesit e materialeve/artikujve plastikë si tubat dhe rakorderitë plastike, profilet PVC, shiritët dhe filmat plastikë, fletët e plasmasit, artikujt plastikë shtëpiakë dhe të zyrës, aksesorët për instalime elektrike etj. që klasifikohen në Kapitullin 39 të NKM, do të jenë subjekt i TAM në masën 35 lekë/kg të peshës neto të produktit, e cila do të ndikojë mbi likuiditetin e tyre në momentin e zhdoganimit (çlirimit për qarkullim të lirë).

5. Eksportuesit janë kategoria e cila impaktohet më negativisht se kategoritë e tjera, pasi aplikimi i taksës për lëndët e para në momentin e zhdoganimit (çlirimit për qarkullim të lirë) ndikon në koston e produktit final që do të eksportohet.

Rrjedhimisht, cënohen konkurrueshmëria ndërkombëtare dhe oportunitetet e eksportit të produkteve shqiptare, si për ato që klasifikohen në Kapitullin 39 të NKM (tuba plastikë etj.) ashtu edhe për artikuj që klasifikohen në Kapituj të tjerë të NKM dhe që inkorporojnë lëndë/materiale plastike të cilat para përpunimit  janë zhdoganuar (çliruar për qarkullim të lirë).

Optimizimi i pagesës përmes Regjimeve Doganore

Legjislacioni doganor parashikon disa regjime (procedura) të posaçme si “magazinimi” dhe “përpunimi” të cilat kanë si qëllim parësor krijimin e kushteve të favorshme për prodhuesit dhe magazinuesit, rritjen e konkurueshmërisë ndërkombëtare dhe promovimin e oportuniteteve të eksportit të mallrave të prodhuara dhe të përpunuara në territorin shqiptar.

Regjimet doganore parashikojnë opsione të cilat mundësojnë:

  • pezullimin e pagesës, për sa kohë mallrat qëndrojnë në regjim ku: (i) ose mund të qëndrojnë të magazinuara; (ii) ose mund të përpunohen dhe shndërrohen në produkte të tjera.

Shembull 3: Një importues i granulatit të polipropilenit duke përdorur regjimin e magazinimit pezullon pagesën e detyrimeve dhe taksave në import (TVSH, taksë doganore etj.), përfshirë TAM, për stokun lëndëve të para që ndodhen pranë ambienteve të tij të magazinimit.

Shembull 4: Një importues i polimerëve të vinilkloridit, i cili prodhon tuba PVC, përmes regjimit të përpunimit aktiv pezullon pagesën e detyrimeve dhe taksave në import (TVSH, taksë doganore etj.), përfshirë TAM, për sa kohë që mallrat përpunohen dhe produkti i prodhuar qëndron pranë ambienteve të tij të prodhimit.

  • shmangien e pagesës, në rastet kur: (i) produktet janë të destinuara për eksport; ose, (ii) në rastet kur lëndët e para plastike në forma primare përdoren për të prodhuar produkte të ndryshme nga ato të Kapitullit 39 të NKM.

Shembull 5: Nëse tubat plastikë të prodhuara duke përdorur regjimin e përpunimit aktiv sipas (Shembullit 4 më lart) do të rieksportohen jashtë territorit shqiptar, detyrimi për të paguar TAM nuk lind në asnjë moment.

Nëse kompania ushtron aktivitetin prodhues jashtë regjimit të përpunimit aktiv, lëndët e para të importuara do jenë subjekt i pagesës së taksës në momentin e zhdoganimit (çlirimit për qarkullim të lirë), duke shpërdoruar mundësitë që ofron legjislacioni doganor.

Shembull 6: Një prodhues bojrash importon polimerë akrilikë në forma primare, e cila shërben si lëndë e parë për prodhim boje plastike. Në qoftë se aktiviteti prodhues ushtrohet jashtë regjimit të përpunimit aktiv, polimerët akrilikë të importuar, në momentin e zhdoganimit (çlirimit për qarkullim të lirë) do të jenë subjekt i TAM prej 25 lekë/kg.

Në qoftë se aktiviteti i prodhimit të bojës ushtrohet në regjimin e përpunimit aktiv, dhe meqenëse produkti i prodhuar (bojë plastike) klasifikohet në Kapitullin 32 të NKM, detyrimi për të paguar TAM nuk lind në asnjë moment, prandaj eliminohet mbipagesa e panevojshme e TAM.

  • qarkullimin e mallrave me detyrime të pezulluara, përmes skemave të parashikuara të regjimeve doganore duke optimizuar pagesën dhe eliminuar mbipagesën e taksës.

Shembull 7: Një prodhues polisteroli përdor regjimin e përpunimit aktiv për të shndërruar polimerët e stirenit në forma primare në polisterol. Lëndët e para nuk i importon vetë, por i blen nga furnitorë vendas, brenda territorit Shqiptar. Ky prodhues, në mënyrë që të evitojë blerjen e lëndëve të para të cilat kanë paguar TAM, duhet të furnizohet vetëm nga furnitorë vendas të cilët përdorin regjimet doganore, psh. regjimin e magazinimit doganor.

Prodhuesi do të paguajë TAM në momentin që zhdoganon (çliron për qarkullim të lirë) polisterolin e prodhuar, me qëllim shitjen në tregun vendas.

Në këtë rast optimizimi i pagesës së TAM lidhet jo vetëm me vetë prodhuesin, por edhe me regjimin doganor të furnitorit.

Asistenca jonë

Gazidede Konsulencë Doganore & Akcize është e gatshme të asistojë importuesit/tregtarët, prodhuesit dhe eksportuesit, aktiviteti i të cilëve ndikohet drejtpërdrejtë nga taksa e ambalazheve plastike dhe materialeve plastike (TAM). Asistenca jonë konsiston në:

  • Analizimin e impaktit të TAM mbi biznesin tuaj;
  • Përzgjedhjen e regjimit/regjimeve doganore përmes të cilave mund të optimizohet pagesa e TAM;
  • Përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm me qëllim aplikimin për t’u pajisur me autorizim për përdorimin e regjimit të magazinimit doganor dhe/ose të përpunimit aktiv.
  • Depozitimin e aplikimit dhe ndjekjen e procedurës së pajisjes me autorizim pranë autoriteteve doganore.
  • Asistencë të vazhdueshme në rast nevoje.

Besar Gazidede
Konsulent Doganor & Akcize

Gazidede Konsulencë Doganore & Akcize

Rruga Sulejman Delvina
Sheshi Wilson, 1/1
Tiranë, Shqipëri

Email: besar.gazidede@gazidede.al
Mob: +355 69 405 0005
Web: https://gazidede.al/

[1] Përllogaritjet bazohen mbi të dhënat sasiore të importit të artikujve që klasifikohen në Kapitullin 39 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave për vitet 2015 dhe 2016. Burimi UN Comtrade Database. Në këtë shumë nuk është përshirë impakti mbi bazën e tatueshme për efekt të përllogaritjes së TVSH në import. Kursi i këmbimit USD/ALL = 108.

SHËNIM: Ky material është i natyrës së përgjithshme me karakter informues dhe shpreh kuptimin tonë lidhur me çështjet e trajtuara. Ky material nuk përbën këshillë specifike profesionale. Ne nuk mbajmë asgjë përgjegjësi lidhur me veprimet që ju apo palë të tjera ndërmerrni duke u bazuar mbi këtë material, pa marrë këshillë specifike profesionale. Të dhënat statistikore janë marrë nga burime të hapura informacioni (UN Comtrade Database) dhe ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi lidhur me saktësinë e tyre. © Gazidede Konsulencë Doganore & Akcize. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *